Secondary Adv

Shqipëria, një nga vendet me varësinë më të lartë nga turizmi në botë, e dyta në Europë

Të ardhurat nga turizmi përbëjnë rreth 22 për qind të PBB-së së vendit.

Shqipëria renditet ndër vendet me varësinë më të lartë nga turizmi në botë, sipas një grafiku të publikuar nga Visual Capitalist, bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Turizmit dhe FMN. Me të ardhurat nga turizmi që përbëjnë gati 22 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, vendi pozicionohet i 16-ti në rang global dhe i dyti në Europë, pas Maltës me 26.4 për qind, duke lënë pas edhe Malin e Zi me 19.8 për qind.

 

Bum turistik dhe ndikimi në ekonomi

Vitet e fundit Shqipëria ka përjetuar një rritje të fortë të turizmit, me mbi 12 milionë hyrje të të huajve në vitin 2025, sipas INSTAT. Fluksi i vizitorëve ka nxitur investime në hoteleri dhe shërbime, ndërsa qiratë ditore të banesave kanë gjeneruar mbi 130 milionë euro të ardhura, sipas AirDNA. Turizmi ka krijuar një efekt zinxhir në tregti, shërbime, bare dhe restorante, duke u shndërruar në një shtyllë kyçe të rritjes ekonomike.

 

Rreziku nga varësia e lartë

Megjithatë, varësia e madhe nga turizmi e bën ekonominë të ndjeshme ndaj goditjeve të jashtme, si konfliktet globale apo krizat shëndetësore, të cilat mund të kufizojnë lëvizjen e turistëve. Turizmi pritet të kontribuojë me rreth 11.7 trilionë dollarë në PBB-në botërore në vitin 2025, afro 10 për qind e prodhimit global, por ndikimi i tij ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin.

 

Si renditet bota

Në krye të listës qëndron Makao, ku turizmi përbën 70.8 për qind të ekonomisë, i ndjekur nga Aruba me 69.7 për qind, Maldivet me 68.1 për qind dhe Andorra me 66.5 për qind. Në anën tjetër, SHBA renditet e 151-ta, me vetëm 0.86 për qind të PBB-së nga turizmi, ndërsa Papua Guinea e Re ka varësinë më të ulët, me 0.01 për qind. Shembuj si Aruba tregojnë se ekonomitë e varura nga turizmi mund të pësojnë rënie të forta në raste krizash, si në vitin 2020 kur PBB-ja e saj ra me 24 për qind për shkak të pandemisë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat